Djali i bosit të famshëm të drogës Joaquín El Chapo Guzmán është arratisur përmes një tuneli, njësoj si babai i tij.
41-vjeçari Iván Archivaldo Guzmán Salazar, është më i madhi nga fëmijët e El Chapos, shmangu arrestimin në rrethana dramatike gjatë një mega operacioni të përbashkët të ushtrisë dhe policisë në Culiacán, Meksikë të mërkurën.
Iván Archivaldo është lideri i Los Chapitos, një fraksion i Kartelit të fuqishëm të Sinaloa-s, dhe është në listën e trafikantëve më të kërkuar të drogës në Shtetet e Bashkuara. 10 milion dollarë është shpërblimi që ka ofruar qeveria amerikane për çdo informacion që çon në arrestimin e Ivan.
Raportohet se Iván Archivaldo u arratis nga shtëpia në Tierra Blanca përmes një tuneli me bashkëpunëtorët e tij, José Ángel Canobbio Inzunza, Kevin Alonso Gil Acosta, José Alonso Acosta López dhe Gustavo Acosta López.
Helikopterët e Ushtrisë Meksikane dhe Gardës Kombëtare zhvilluan kërkime për orë të tëra në të gjithë zonën, por pa sukses.
Udhëheqësi i Los Chapitos thuhet se është në situatë kritike sa i takon kartelit të tij. Dy nga vëllezërit e tij janë arrestuar vitet e fundit dhe qëndrojnë në burg në SHBA.
Këtë arratisje, mediat e huaja e kanë krahasuar me atë të babait të tij, 10 vite më parë. Më 11 korrik 2015, El Chapo doli nga burgu Altiplano i Meksikës përmes një tuneli 2.4 km të ndërtuar fshehurazi. I pajisur me ndriçim dhe ajrim, tuneli nga zona e dushit të qelisë së tij të çonte në një shtëpi të vogël aty pranë. Kjo ishte arratisja e dytë e El Chapo nga burgu pas një përpjekjeje të mëparshme të suksesshme në vitin 2001. Ai u kap përsëri në janar 2016 dhe më vonë u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku tani po vuan dënimin e përjetshëm.
Ndërkohë, Ivan kërkohet nga autoritetet amerikane në lidhje me një hetim të Arizonës për kartelin Sinaloa. Hetuesit thonë se ai dhe tre vëllezërit e tij “trashëguan” rrjetin e trafikut të drogës të El Chapo.