“Ndaj plotësisht me ju urrejtjen për Evropën. Është patetike”. Në këtë mënyrë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth e ka përshkruar kontinentin e vjetër në një grup bisedimesh online, ku bënin pjesë këshilltarët më të lartë për sigurinë kombëtare të presidentit Donald Trump.
Përmbajtja e bisedës, në të cilën ishin përfshirë zëvendës presidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marko Rubio dhe këshilltari Mike Waltz u publikua nga kryeredaktori i revistës amerikane “The Atlantic”, i cili aksidentalisht ishte futur në grupin e bisedës.
Gjatë dialogut, që Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha se ishte autentik, grupi diskutonte edhe për sulmet e planifikuara ndaj rebelëve pro-iranianë në Jemen, që nisën vetëm pak orë më vonë.
Por ajo që ra më shumë në sy, krahas të dhënave mbi operacionet ushtarake, ishte neveria e Shteteve të Bashkuara për Evropën, të cilën Vance e artikuloi për herë të parë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Në bisedën e zhvilluar në aplikacionin “Signëll”, i paautorizuar për debate zyrtare, Vance thoshte se sa urrente “të ndihmonte sërish Evropën”, duke thënë se sulmet ndaj rebelëve huthi dhe zhbllokimi i rrugëve tregtare do t’i sillnin përfitime vetëm asaj.
“Tre për qind e tregtisë amerikane kalon përmes Kanalit të Suezit, 40 për qind e asaj evropiane. Ekziston rreziku që publiku të mos e kuptojë këtë”, thoshte numri dy i Shtëpisë së Bardhë në fillim të bisedimeve.
Ndërsa zyrtarë të tjerë sugjeronin se Uashingtoni duhet t’ia bëjë të qartë Brukselit se çfarë pret në këmbim nga Evropa dhe rekomandonin edhe detyrimin e saj për të plotësuar kërkesat e Amerikës.