SHBA dërgon një grup prokurorësh në Ballkan, me fokus në goditjen e korrupsionit

Administrata e Presidentit Donald Trump ka kaluar nga denoncimet publike për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në shtetet ballkanike, duke dërguar një grup prokurorësh për të hetuar projektet që janë zbatuar deri tani me fondet e taksapaguesve amerikanë. Ky grup, i udhëhequr nga ish-prokurori federal Martin De Luca, ka nisur hetimet nga Sarajeva, ku ka rezultuar se vetëm në katër vitet e fundit janë shpenzuar rreth 402 milionë dollarë përmes projekteve të USAID-it me OJQ-të e ngritura nga fondacioni Soros. Nga këto, 250 milionë dollarë nuk mund të justifikohen dhe mbeten të paqarta për destinacionin e tyre.

“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë dollarë mund të justifikohen, ndërsa rreth 250 milionë dollarë mbeten të pajustifikuara, çka ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë. Ekipi im tani po heton operacionet e USAID-it në shtetet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqpërdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave dhe kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete”, tha Martin De Luca për mediat kroate. Ai shtoi se nga hetimet mund të rezultojë se aktivitetet kriminale kanë qenë pjesë e veprimtarisë së kësaj organizate, e cila financohet me fonde të qytetarëve amerikanë.

De Luca ka një karrierë të gjatë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së dhe ka ndjekur çështje të korrupsionit, mashtrimeve komplekse, pastrimit të parave, evazionit fiskal, krimit të organizuar, financimit të terrorizmit dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Këto çështje shpesh kërkonin bashkëpunim me FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, agjencitë e inteligjencës amerikane dhe partnerët e huaj të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu, rastësisht, De Luca ka qenë avokat i Marco Fogel, i cili u lirua më 11 shkurt të këtij viti. Fogel u arrestua në vitin 2022 dhe u dënua me 14 vjet burg në Rusi për trafik të dyshuar droge. Fogel ishte një mësues amerikan, i cili u arrestua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës në gusht 2021 me 17 gram kanabis, të cilin ai e kishte përdorur për qëllime mjekësore.

Ndërkohë, disa javë më parë, Ambasada Amerikane njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e fondeve që jepte USAID për Shqipërinë.

Të Fundit