Sekuestrohen 24 800 euro të padeklaruara në Kakavijë, procedohet penalisht 26-vjeçari

Sekuestrohen 24 800 euro të padeklaruara në Kakavijë, ndërkohë që është proceduar penalisht një 26-vjeçar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet S. T., të cilit iu gjetën eurot në çantë, ndërsa tentonte t’i nxirrte jashtë vendit.

NJOFTIMI I POLICISE
PKK Kakavije/Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave.

Sekuestrohen 24 800 euro, procedohet penalisht 26-vjeçari që nuk i deklaroi në dalje të RSh-së.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave.

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi S. T., në çantën e të cilit u gjetën 24 800 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Të Fundit