Segmenti rrugor në zonën e Arrës së Gurrës në Librazhd pritej që të hapej ditën e sotme, por se kjo gjë nuk është mundësuar dot.
ARRSH, me anë të një njoftimi sot në datë 23 shkurt, lajmëron se ky segment rrugor ka pësuar defekte dhe fundosje.
“Segmenti rrugor në zonën e Arrës së Gurrës në Librazhd pritej të hapej sot, mirëpo ka pësuar dëmtime dhe fundosje. Për këtë arsye, nuk mund të hapet gjatë ditës së sotme. Aktualisht segmenti është i pakalueshëm. Rruga dytësore ka pësuar rrëshqitje, duke dëmtuar edhe rrugën provizore, të ndërtuar më herët”, sqaron ARRSH.
OST me anë të një lajmërimi bën me dije se nga shembja e dherave në aksin rrugor në Librazhd, rrezikon të shembet shtylla e tensionit të mesëm. Sipas OST-së, do të demontohet shtylla si dhe linja 110KV do të tokësohet.
“Ju njoftojmë se, në kuadër të punimeve për demontimin e shtyllës Nr.15, në linjën 110kV – 16/3a Librazhd – HEC Egnatia, në datën 23 shkurt 2026, nga ora 10:00 deri në orën 17:00, do të stakohet dhe tokëzohet Linja 10kV e Fiderit F3 Hotolisht të Nënstacionit Librazhd si dhe Linja 35kV e HEC-it Dragostunjë. Si rrjedhojë, gjatë këtij intervali kohor do të mbeten pa energji elektrike disa zona në rrethin Librazhd:
📍Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe, HEC-i Xhyrë”, njofton OST-ja.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme më 22 shkurt, u bllokua rruga nacionale Librazhd-Prrenjas, teksa ura u dëmtua rëndë.
Nga terreni, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, tha dje se “problematikat janë shkaktuar edhe prej reshjeve intensive e të zgjatura në kohë”.
“Ka pasur devijime provizore me raste. Fenomenin e lidhim natyrisht me atë natyror, jemi në një zonë ujëmbajtëse, erozioni nga lumi është i madh, gjë që ka shkaktuar destabilizim. Për shkak të rrëshqitjes së madhe u detyruam të bllokonim gjithë aksin dje. Jemi në kushte të tjera sot, kemi një lloj stabilizimi të lëvizjes tektonike. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes, ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme”, deklaroi ai, duke shtuar se punimet po kryhen në aksin që është pjesë e Korridorit të 8-të.
“Punimet në bypassin aktual po vijojnë, rruga sot do vijojë të jetë e bllokuar. Sepse punimet mund të shkaktojnë rënie masive dherash, parashikimi është që deri në mesditën e nesërme do ketë punime”, bëri me dije ai.
Pavarësisht deklaratës së drejtorit të ARRSH-së Kozeli, duket se situata nga shkaqet atmosferike ka bërë që rruga të jetë e pakalueshme edhe gjatë ditës së sotme.



