Salianji i përgjigjet Berishës:Nuk kam bërë deputet ata që ishin me krimin në makinë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj pretendimeve se ka zhvilluar një takim me Suel Çelën në Elbasan, duke i mohuar kategorikisht akuzat dhe duke i cilësuar ato si të fabrikuara për ta nxjerrë jashtë gare politike dhe zgjedhore.

Në reagimin e tij, Salianji shprehet se sulmet ndaj tij lidhen me betejën që ai ka bërë ndër vite kundër grupeve kriminale dhe me frikën, sipas tij, se ai mund të jetë fitues në një përballje elektorale.

“E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend. Sepse në garë dhe me garë unë i mund,” deklaron Salianji.

Ai thekson se forca e tij politike buron nga mbështetja qytetare.

“Forca ime e vetme janë personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve,” shton ai.

Duke iu referuar akuzave për Elbasanin, Salianji nënvizon se në atë qytet ka qenë e pranishme e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike dhe se pretendimet për takime me persona të botës së krimit janë, sipas tij, të pavërteta.

“Akuzat imagjinare se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë dëshmi e mjerimit politik,” thuhet në reagim.

Në fund, demokrati ndalet te ajo që e cilëson si shkelje të rëndë morale brenda opozitës, duke bërë një dallim të qartë mes qëndrimit të tij dhe rasteve të tjera të përfolura.

“Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit. Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!”-përfundoi Salianji.

Të Fundit