Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të bëra nga kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme nga selia blu.
Salianji mohon pretendimet për “vetëpërjashtim”, duke theksuar se ka qenë dhe mbetet pjesë e Partia Demokratike. Sipas tij, problemi nuk është kush përjashtohet, por pse nuk lejohet gara brenda partisë.
“Kush ka lidhje dhe me kë do kemi kohë e do i qartësojmë, por pyetjet mbeten; a do të ketë garë të hapur? A do të ketë votë të lirë për demokratët? Si do fitojë Partia Demokratike? Kur?
A mbahet përgjegjësi për rezultatet dhe premtimet?
A mundet një kandidat të përjashtojë kandidatin tjetër?
Se në mungesë të garës, shpiken romane me “vetëpërjashtime”.
Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët!
Problemi nuk është kush “përjashtohet”, por pse nuk lejohet gara, se Sali Berisha apo kushdo tjetër mund të thotë çfarë të dojë për mua, por nuk mund të shmangë pyetjen kryesore: pse i trembet garës?
Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët!
Pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën”, shkruan Salianji në një postim në Facebook.



