Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme, ku ishte i detyruar të shkonte në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë që mbështetësit dhe pjesëtarët e grupit parlamentar demokrat ishin stacionuar përpara ambienteve të SPAK në pritje të ardhjes së tij, u bë e ditur se Berisha nuk do të paraqitej, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Bëhet me dije se arsyeja e mungesës së Berishës lidhet me një gjendje gripale që ai po kalon.
“Shkuarja e zotit Berisha në SPAK është anuluar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore”, bëhet me dije për media.
Mbetet për t’u parë nëse Berisha ka anuluar vetëm paraqitjen në SPAK, apo edhe angazhimet e tjera të ditës.
Berisha është subjekt i një mase sigurie të vendosur nga Gjykata, e cila i kërkon të paraqitet periodikisht pranë Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për dosjen “Partizani”.