Këtë të shtunë, 28 mars, Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste si dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Mbledhja zgjati rreth gjashtë orë dhe u zhvillua në Pallatin e Brigadave. Ishte një mbledhje me dyer të mbyllura, nga ku tvklan.al mëson disa detaje. Burime nga brenda mbledhjes bëjnë të ditur se ajo nuk kaloi pa tensione. Protagoniste ishte Elisa Spiropali.
Fillimisht mësohet se sjellja e saj, gjatë kohës që fliste drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ishte e pazakontë, me ish-ministren që fliste me veten dhe qeshte. Në një moment, teksa Goxhobelli po u përgjigjej pyetjeve të deputetëve, Spiropali u ngrit në këmbë dhe i kërkoi drejtoreshës së Kadastrës që të tregohej më e kujdesshme kur i drejtohej deputetëve.
Por Goxhobelli ishte vetëm fillimi. Mimikat dhe nënqeshjet e Spiropalit mësohet se nuk munguan as gjatë kohës që fliste Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Kjo e fundit, teksa vuri re sjelljet e Spiropalit, kërkoi të dinte se çfarë kishte për të qeshur. Në këtë moment ishte Kryeministri Edi Rama që ndërhyri dhe iu drejtua Spiropalit me fjalët: “Sa të jem unë në PS ti nuk duhet të flasësh fare. Po e hape gojën do të nxjerr jashtë”.
E pas kësaj, në shënjestrën e Kryeministrit ishin edhe dy emra të tjerë. Siç mëson tvklan.al, Rama iu kthye Damian Gjiknurit, të cilin e akuzoi se përgjon e nxjerr biseda me telefonin e tij, duke iu drejtuar me fjalët: “Fik telefonin se e ke zakon që regjistron dhe i nxjerr gjërat që regjistron”. Ndërsa ish-ministrit Ervin Hoxha i tha: “Po ti do vazhdosh akoma të bësh llafazllëqe nëpër tavolina komisariatesh?”
Sa i takon ish-ministres Spiropali, arsyeja e sjelljes së saj në këtë mbledhje mbetet e paqartë, por burimet bëjnë të ditur se qëndrimi i saj nuk ishte aspak normal.
Kujtojmë se ajo mungoi në seancën e 12 marsit në Kuvend, kur votohej imuniteti i Belinda Ballukut. I pyetur për mungesën e saj vetëm pak ditë më parë, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se vendimet nuk i merr vetëm, por në konsultim me grupin. Menjëherë, Spiropali reagoi duke shprehur gatishmërinë për një diskutim të hapur, duke theksuar se vendimmarrja kolektive është forca dhe garancia e legjitimitetit politik të socialistëve, ndërsa çdo qëndrim i dalë nga një debat i troçtë e i ndërgjegjshëm meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.



