Trëndelina Bufi rrëfen kalvarin, për të siguruar përkujdesje për vëllain, Agron Bufi, i cili pas një aksidenti të rëndë, mbeti i varur nga ndihma e të tjerëve. I braktisur nga fëmijët, Agroni u dërgua fillimisht në një azil në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre vite. Pagesat kryheshin nga të afërmit, por mungesa e vizitave familjare ndikoi rëndë në gjendjen e tij psikologjike.E shqetësuar, Trëndelina e transferoi vëllanë në qendrën “Vila e Rrokut”, ku sipas saj, ai u rrëzua dy herë dhe përfundoi në karrocë. Pas disa ngjarjeve shqetësuese dhe mungesës së reagimit nga punonjësit, ajo vendosi ta largojë Agronin nga kjo qendër. “Stop” u drejtua me kamerë të fshehtë në këtë azil në Durrës, por punonjësit shmangën dhënien e informacionit mbi rrëzimet, dokumentacionin mjekësor dhe kamerat e sigurisë. Ky azil rezulton të ketë aktivitet kryesor shërbimet funerale, duke ngritur pikëpyetje për natyrën reale të veprimtarisë.Më pas, Agroni u zhvendos në Tiranë, por as aty situata nuk u përmirësua. Një azil i dytë mori pagesën për muajin janar, duke pretenduar se dy javët e fundit të dhjetorit ishin falas, ndërkohë që gjendja e Agronit u përkeqësua. Në dhjetor 2025, Trëndelina u detyrua ta marrë vëllanë në shtëpinë e saj.Një tjetër azil, në zonën e Saukut, kërkoi pagesë për ditët e dhjetorit, megjithëse punonjësit nuk dinin as emrin tregtar të qendrës. Drejtoresha Agetina Hidershaj pranoi, se marrëveshja ishte për janarin 2026, por këmbënguli për pagesën e 17 ditëve. Avokati Artur Meça, që rezulton pronar i institucionit, premtoi kthimin e një pjese të shumës, por transferta nuk u krye. Gjatë xhirimeve u konstatuan edhe kushte të dobëta higjiene.Rikthimi në një qendër në zonën e Qytetit Studenti, ku ndodhet doktoresha Maja, u shoqërua me refuzim komunikimi dhe mbyllje dere nga stafi. As drejtuesit dhe as administratorët nuk dhanë një qëndrim zyrtar. “Stop” ka vënë në dijeni institucionet shtetërore për të siguruar akomodimin e Agron Bufit në një azil shtetëror.



