Sa efektivë kanë rezultuar përdorues droge? Nano: Procesi në fazat fillestare, duam një polici të pastër

Në një deklaratë për mediat Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka folur për testet e drogës që po kryen te efektivët e policisë.

I pyetur nga gazetarët se sa efektivë kanë rezultuar përdorues droge, Nano nuk ka preferuar të japë shifra por tha se ky proces do të zhvillohet në disa faza ndërsa aktualisht jemi në fazën fillestare.

“Dua që të informoj dhe të mos ketë asnjë keqkuptim. Policia e Shtetit nuk ka për synim terrorizimin e forcave të policisë, kanë mbështetjen time personale dhe të ligjit për punën që kryen. Testi i drogës do të zhvillohet sipas procedurave të qarta dhe nuk do ndërmarrim asnjë veprim penalizues pa u bindur plotësisht. Nuk ka përfunduar testi i drogës, është në fazat e para. Qëllimi ynë është parandalimi dhe më pas do vazhdojmë me faza të tjera të miratuara nga institucionet shtetërore që do japin aktin përfundimtar për çdo punonjës policie. Duam një polici të pastër dhe kjo bëhet dhe për një arsye tjetër të fortë, për të krijuar besueshmëri në nivel më të lartë në raport me publikun dhe komunitetin. Nuk do të jap shifra. Në përfundim të këtij procesi do ketë informacion zyrtar nga Policia e Shtetit”, deklaroi Nano.

Të Fundit