Pas denoncimit të emisionit Stop në Tv Klan për ryshfetin e dhënë në Portin e Vlorës për të udhëtuar drejt Italisë, ka reaguar Drejtoria e Standarteve në Policinë e Shtetit duke pezulluar nga detyra 3 punonjës policie.
Të pezulluarit janë punonjës të Policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Vlorës; konkretisht përgjegjësi i turnit nënkomisar Xh. Q, inspesktor P. H. me detyrë kontrollor, si dhe inspektor G. Z. me detyrë trup shërbimi.
Ndaj tre punonjësve të policisë si dhe ndaj shefit të Stacionit të PKK Port Vlorë nënkomisar Y. D, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin e thelluar disiplinor, ndërsa nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimi penal.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit falenderon emisionin “Stop” dhe fton media e qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të policisë.
Stop denoncoi përmes kamerave të fshehta se për të shkuar drejt Brindizit në Itali nga Porti i Vlorës, duhen të paguar nën dorë plot 170 Euro tek sekseri dhe policët kufitarë, përveç biletës.