Ruajtja e traditës së Xhubletës, kërkohet mbështetje për trashëgiminë tek të rinjtë

Zonjat e Xhubletës, kanë nxjerrë nga sënduqet kostumet e trashëguara brez pas brezi. Të veshura si zonjat e malësisë dikur, ata shpalosin këtë kostum që sot është trashëgimi e gjithë njerëzimit, por që përdoret shumë pak, e akoma më pak ka zonja që dinë ta punojnë.

“Falenderoj Zotin që kanë ngel 5 – 6 zonja gjallë që dinë dhe ta përcjellim sa më parë se nuk i dihet”, tha Shkrute Bici.

Zonjat që ruajnë sekretin e këtij kostumi të lashtë, thonë se sot ka nevojë për mbështetje financiare që t’i mësohet të rejave.

Xhubleta është ekspozuar në qendër të Shkodrës për Javën e Europës, ku i pranishëm ishte zv/ambasadori i BE-së, Alex Hupin, që tha se BE në fokus të politikave do të ketë formimin profesional.

“Aftësitë janë të rëndësishme për krijimin e vendeve të punës. Për këtë arsye ne duam t’i qëndrojmë përkrah Shqipërisë, përkrah autoriteteve dhe të rinjëve, që t’i shpalosim bashkë këto aftësi”, tha ai.

Java e Europës, mblodhi në Shkodër turistë, të rinj dhe pasionantë të Xhubletës, kësaj pasurie që sot mbrohet nga UNESCO.

Të Fundit