‘Rroba nga flokët e njeriut’, stilistja holandeze prodhon veshje pa dëmtuar mjedisin – Stop
Bota, Të Gjitha

‘Rroba nga flokët e njeriut’, stilistja holandeze prodhon veshje pa dëmtuar mjedisin

Ka shumë mënyra për ta bërë jetën tonë më të shëndetshme. Nga reduktimi i plastikës dhe riciklimi, te reduktimi i konsumit të mishit, ecja dhe çiklizmi.

Përveç këtyre, trende të reja hyjnë në lojë herë pas herë, siç është edhe ky trend i ri i pazakontë. Të gjithë e dimë se moda e shpejtë është e dëmshme, kështu që stilistja me bazë në Amsterdam, Zsofia Kollar dëshiron të shndërrojë industrinë e tekstilit, duke bërë rroba nga flokët e njeriut.

Ajo shkon nëpër parukeritë lokale për të mbledhur “lëndët e para” për punën e saj.

“Në Evropë krijohen 72 milionë kg mbetje të flokëve të njeriut”, tha Kollar për Euronews Green.

“Flokët grumbullohen në sasi të mëdha në rrjedhat e mbetjeve të ngurta, duke bllokuar sistemet e kullimit”, shtoi ajo.

Mënyra se si përfundojnë mbetjet e flokëve ishte arsye e mjaftueshme që Kollar të mendonte për një zgjidhje, kështu që ajo themeloi ‘Human Material Loop’.

“Flokët e njeriut janë një material i disponueshëm globalisht. Nuk është si pambuku apo leshi që mund të shitet vetëm në një zonë të caktuar”, thotë Kollar. Kjo do të thotë se çdo vend ka prodhim vendas dhe fuqi punëtore lokale.

Duke prodhuar veshje, sasia e CO2 që ndot ajrin reduktohet, pasi transportimi i kontejnerëve të mëdhenj plot me pëlhurë bëhet i panevojshëm.

“Prodhimi vendas na lejon të prodhojmë vetëm sipas kërkesës,” shpjegon ajo.

Mendojeni kështu, flokët e prera shkojnë dëm, por në të njëjtën kohë është normale që ne të veshim rroba nga qimet e deleve, ose alpaka. Flokët e njeriut përbëhen njësoj si qimet e kafshëve nga një fibër proteine ​​keratine, por janë miqësore me mjedisin.

Kollar shpjegon se, “ndërsa qimet e kafshëve duhet të trajtohen me kimikate për të hequr gjakun dhe mbeturinat, flokët e njeriut janë pothuajse gati për t’u përdorur, mjafton të zihen në avull.”

Ndryshe nga qimet e kafshëve, floku i njeriut është më i butë.

Një sistem riciklimi me qark të mbyllur

Deri më tani nga Human Loop Material është prodhuar një pulovër, bazuar në dizajnet e thurura nga stilisti Li Jiahao, në Hagë.

Flokët për këtë veshje, që përbën edhe prototipin, u mblodhën në Holandë. Prototipi quhet “Bjonde holandeze” dhe është i përbërë nga 100% flokë njeriu. Peri i krijuar nga flokët e njeriut aktualisht prodhohet në një fabrikë tjerrëse në Itali.

“Në të ardhmen, po planifikoj që i gjithë materiali të prodhohet në vend”, thotë Kollar.

Plani i saj është që flokët e mbledhur që janë shumë të shkurtër të përdoren për të tjerrë pe, dhe më pas të ripërdoren si një pleh natyral, pasi siguron azot për bimët kur ato dekompozohen.

Në këtë mënyrë, dizajnerja Zsofia Kollar po krijon një sistem me qark të mbyllur që do të thotë pa mbetje ose mbeturina nga prodhimi./EuronewsAlbania

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *