Në një deklaratë për mediat të mbajtur nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të Energjisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri një përmbledhje të situatës energjetike në vend gjatë sezonit turistik veror 2025.
– Advertisement –
Ajo vuri në dukje rritjen historike të konsumit të energjisë elektrike, sfidat me të cilat është përballur rrjeti për shkak të temperaturave të larta dhe zjarreve, si dhe masat e marra për të garantuar furnizim të qëndrueshëm në të gjithë territorin.
Më tej, Balluku theksoi gjithashtu rezultatet pozitive në reduktimin e humbjeve në rrjet dhe nismat e qeverisë për forcimin e sektorit energjetik, përballimin e kërkesës në rritje dhe uljen e çmimit të energjisë për familjarët.
Deklarata e plotë e Belinda Ballukut:
“Përshëndetje,
Këtu nga salla SCADA e Operatorit të Transmetimit të energjisë po bëj një pasqyrim të përmbledhur mbi situatën energjetike në vend, nivelin e konsumit të energjisë gjatë sezonit turistik veror dhe angazhimin e të gjithë strukturave publike të sektorit për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji gjatë këtij sezoni turistik kaq të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Të dhënat e rrjetit tregojnë një rritje të vazhdueshme të konsumit nga viti në vit, në të gjithë elementët e tij, referuar të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike, krahasuar me një vit më parë, me vitin 2024, u rrit me 2.2% ose me 41,885 megavatorë. Krahasuar me vitin 2023 u rrit me 10.3% ose me 18,4151 megavatorë.
Nëse do ta krahasonim me vitin 2019, si viti para pandemisë dhe krizës energjetike, në muajin qershor dhe korrik të vitit 2025 kemi një rritje respektive të konsumit mujor me 21.5% dhe 30.7%. E përkthyer në sasi energjie elektrike, rritja vetëm për këto dy muaj është sa konsumi i total i konsumatorëve familjarë për muajin Prill 2025 apo rreth 217,000 MWh.
Sa i përket konsumit ditor, tashmë mund të klasifikojmë hapur se dita me konsumin më të lartë në vend nuk i përket muajve të dimrit, por muajve të verës. Data 13 Gusht 2025 me një konsum prej 27,995 MWh, ka kaluar ditën që zakonisht është ajo me konsumin më të lartë në vend, 31 dhjetorin, e cila në fundin e vitit 2024 ka qenë 27,438 MWh. Konsumi mesatar ditor në vitin 2025 në rang vendi është 20,856 MWh, ndërkohë që në vitin 2024 ishte 20,610 MWh dhe në vitin 2023 ishte 18,593 MWh, rritje që tregon dukshëm zhvillmini e qëndrushëm ekonomik të vendit sidomos në dy viteve të fundit.
E megjithëse sistemi elektroenergjetik dhe rrjeti janë ekspozuar në kërkesën më të lartë historike të konsumit, furnizimi me energji elektrike në vend edhe në zonat me interes në ekonominë e turizmit, ka vijuar të jetë në standardet më të mira të tij.
Ka qenë një sezon i vështirë dhe për shkak të situatës së zjarreve që kanë kërcënuar në jo pak raste nënstacionet dhe linjat e transmetimit. Skuadrat e OST dhe OSHEE kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri dhe janë angazhuar në mënyrë aktive në fikjen e zjarreve dhe mbrojtjen e aseteve tona energjetike.
Ndaj dua të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë ata punonjës të cilët jo vetëm qëndruan në gatishmëri për të rivënë në punë rrjetin e ndikuar nga zjarret, por dhanë dhe ndihmën e tyre të drejtpërdrejtë në shuarjen e zjarreve, anembanë Shqipërisë.
Ndërkohë, të dhënat e rrjetit të shpërndarjes, vijojnë të tregojnë trendin rënës të humbjeve në rrjet, çka ndihmon edhe më shumë në rritjen e performancës financiare, por dhe teknike të operatorëve të sistemit energjetik.
1.45% është shënuar rënia e humbjeve teknike në rrjet ose e thënë ndryshe janë kursyer 21,699 MWh. Ashtu siç e kemi bërë me dije 1% humbje të rikuperuara në 1 vit, ekuivalojnë në një kursim financiar rreth 7 milionë euro, duke forcuar kështu financat e sektorit e duke na dhënë mundësi të punojmë për ulje të mëtejshme të çmimit të energjisë për abonentët familjarë, pas uljes 10.5% që aplikuam në fillim të vitit 2025.
Megjithatë, rritja e konsumit ekspozon nevojën për të forcuar kapacitetet tona në të gjitha hallkat e zinxhirit energjetik nga prodhimi, te transmetimi dhe shpërndarja, e deri te efiçenca në konsum.
Për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po vijon të ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme. Të gjitha këto nisma synojnë jo vetëm përballimin e kërkesës në rritje, por edhe mundësimin e aksesit të produktit energjetik në tregun rajonal të energjisë, madje mbrojtje të plot të konsumatorit, mjedisit dhe ekonomisë tonë nga luhatjet e mundshme të tregjeve ndërkombëtare të energjisë.
Sezoni turistik tashmë shkon përtej muajit gusht që është piku i tij dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ofruar një shërbim energjetik cilësor e të qëndrueshëm.
Fundjavë të mbarë për të gjithë”, thuhet në deklaratë.