Vetëkënaqësia e një pjese që prodhoi “çmime më shumë se të kripura”, rrezikoi seriozisht që “bumin” e krijuar pas një 2023-shi të mbarë ta kthente në “gropë për të gjithë”.
Anisa Ceno, menaxhere hoteli në Vlorë: “Për sa i përket çmimeve, mesatarisht në tregun e Vlorës patëm një 15-20 për qind. Kjo si pasojë e zhvlerësimit të euros. Rrjedhimisht ndikoi xhepat e klientëve tanë europianë.”
Ashtu siç erdhën të joshur nga reklama e nga postimet me bukuritë e vendit në rrjetet sociale, bashkë me pozitën gjeografike dhe lidhjet kulturore, po aq shpejt italianët nisën të bënin të kundërtën këtë verë.
Nami i keq për “abuzime me çmimet” që si epiqendër pati jugun e vendit, prodhoi një reaksion zinxhir në thuajse gjithë vijën bregdetare të vendit, duke lënë me qindra dhoma hotelesh e mijëra çadra e shezlongë bosh. Kjo të paktën deri në mesin e korrikut.
Si pasojë e rritjes së pajustifikuar të çmimeve, shembullit më të mirë të një modeli që zhvillohet keq, ndryshe nga një vit më parë teksa kapacitetet ishin thuajse të ezauruara, në fillim të korrikut në platformat AirBNB dhe “Booking” mund të gjeje lehtë apartamente me qira ditore ose një dhomë në hotele në thuajse gjithë jugun e vendit.
Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, deklaron: “Më kanë konfirmuar vetë hotelet, që kishin krijuar grupe WhatsApp-i ku rekomandonin njëri-tjetrin që të rrisnin çmimet se sivjet kishte kërkesë shumë të madhe. Gjë që nuk rezultoi e vërtetë. U bënë pishman. I ulën çmimet pastaj, por impakti ishte.”
“Nevojiten vite të tëra për të ndërtuar diçka dhe vetëm një sekondë për ta shkatërruar atë.” Kjo thënie e ruan kuptimin edhe në kontekstin e turizmit.
Pas muajve të tërë me rritje dyshifrore, turizmi në muajin korrik u rrit me vetëm 2,7 për qind duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi dhe duke konfirmuar situatën që tur-operatorët dhe strukturat akomoduese raportonin në pjesën e parë të këtij muaji. Por, rritja e çmimeve nuk është e vetmja arsye e “vrapit me pengesa të turizmit” gjatë këtij viti.
Sipas operatorëve turistikë, fluksi i tyre ka rënë në krahasim me vitet e kaluara, kurse heqja e vizave i ka shtyrë ata drejt destinacioneve të tjera. Dhe kjo tendencë ishte normale dhe e pritshme. Si shtetasit shqiptarë, ashtu dhe ata të Kosovës, ishin frekuentuesit më të rregullt të shezllonëve, ndaj nuk ka asnjë habi që ato janë bosh.
Megjithatë, gjysma e dytë e korrikut përmbysi situatën e krijuar duke rikthyer turizmin në nivelet që viti i shkuar e la. Shqipërinë e vizituan mbi 6,3 milionë të huaj deri në fund të korrikut. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në krahasim me janar-korrikun e një vitit më parë, shifrat e turistëve u zgjeruan me mbi gati 1,2 milionë apo 23,2 për qind.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se pjesa më e madhe e atyre që vizituan Shqipërinë deri në korrik, mbi 65 e totalit, ishin nga shtete europiane. Pjesa tjetër rezultojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia Lindore, Paqësori e Afrika.
Me gushtin e lënë pas, që ndër vite ka shënjuar fundin e turizmit masiv veror, pritshmëritë e operatorëve janë për një vjeshtë edhe më të mbarë e ajo e një viti më parë.
Ndërkohë, problemeve të reja të turizmit në vend nuk i mungoi edhe këtë vit as mungesa e fuqisë punëtore. Baret, restorantet apo hotelet në vend ishin dhe vijojnë të jenë në kërkim sa për kamerier, banakier, kuzhinier, sanitare, aq edhe për shoferë, guida, ciceronë e menaxherë.
E teksa sezoni turistik, të paktën ai masiv veror është drejt fundit, pikëpyetjet që po ngrihen e që presin përgjigje janë të shumta: Pse mbetën shezlongët bosh? A ka më shumë apo më pak turistë të huaj? A i ka ardhur fundi turizmit patriotik? A ishte abuzive rritja e çmimeve e kështu me radhë.