Një familje me 4 anëtarë shpenzon 92 mijë lekë në muaj. Nga këto, 36 mijë lekë ose 40% të totalit, i harxhon vetëm për ushqime.
Kostoja e jetesës për një familje me 4 anëtarë në vend është rritur vitin e kaluar. INSTAT raporton se shpenzimet arritën mesatarisht 92 mijë lekë në muaj, ose 4% më shumë se në vitin 2022.
Pjesa më e madhe e tyre, sërish shkoi për ushqime, për të cilat mesatarisht në një muaj familjet harxhuan 36 mijë lekë. Produktet ushqimore që kushtuan më shtrenjtë ishin mishi dhe nënproduktet e tij, buka, si edhe perimet.
Nga ana tjetër, për faturat e ujit dhe energjisë, shpenzimet në rang vendi ishin 8,900 lekë.
Në ndryshim nga viti 2022, vitin e kaluar familjet rritën shpenzimet për higjienë personale, trajtime estetike dhe për shërbime parukerie. Po ashtu, më shumë u shpenzua edhe për pije alkoolike, për mobilim banesash dhe për blerje pajisjesh për gatim.
Tri janë qarqet ku një familje me 4 anëtarë shpenzon më shumë. Lista kryesohet nga Tirana, me 102 mijë lekë në muaj, e cila është qarku i vetëm mbi mesataren, ndjekur nga Korça dhe Durrësi.
Ndërsa Kukësi dhe Dibrës vijojnë të mbeten qarqet ku shpenzimet mesatare mujore për konsum janë më të ulëta.