5-mujori i këtij viti arkëtoi rreth 17 miliardë Lekë të ardhura për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Shqiptare, duke shënuar kështu një rekord historik krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të viteve më parë.
Të dhënat e këtij institucioni, tregojnë se produktet e akcizës dhe në veçanti karburantet, kanë dhënë një efekt pozitiv në rritjen e të ardhurave doganore.
Sipas doganave, për periudhën nga Janari në Maj, në territorin shqiptar kanë hyrë 191,035 ton karburant të deklaruara për konsum, apo rreth 20 mijë tonë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Shifra rezulton të jetë më e larta në 5 vitet e fundit.
Rritja e konsumit të karburanteve, si një nga produktet kryesore që ndikon në zinxhirin prodhues, sinjalizon rritje të kërkesës së brendshme dhe rritje ekonomike.
Sa i takon të ardhurave totale, doganat raportojnë 89.8 miliardë Lekë arkëtime, duke realizuar 100.2% të planit të parashikuar dhe duke tejkaluar me 6.6%, ose rreth 5.6 miliardë Lekë të ardhurat e 5 muajve në vitin 2023.
Pas karburanteve, doganat raportojnë rritje edhe të imporit të birrave, kafes e cigarave, mallra të cilat duket se janë ndikuar nga konsumi në rritje që ka sjellë edhe numri i vizitorëve të shtuar në vendin tonë përgjatë këtyre muajve.