Ka shkuar në 333 numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin tonë. Në përditësimin e MSH-së, këtë mesditë u konfirmuan po ashtu 29 raste të reja. Ndërkohë një tjetër person ka ndërruar jetë, duke e cuar në 18 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës.
Specialistja e Instituti i Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi tha se në 24 orët e fundit janë testuar 216 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 29 raste të reja me COVID-19. Aktualisht në shërbimin Infektiv aktualisht janë 66 të shtruar, 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar, ndërsa tek COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar.
NJOFTIMI I MSH
Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.
Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit. Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri.
Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.