Nesër më 3 qershor, rreth 34.000 maturantë në mbarë vendin do të japin provimin e parë të Maturës Shtetërore 2021. Mbikëqyrja do të bëhet me përfaqësues të MASR, përgjigjes administrimi në 208 qendrat në të gjithë vendin. Posta që sot ka shpërndarë nën masa të larta sigurie fletët e provimit.
Burime brenda ministrisë së Arsimit bëjnë më dije për gazetaren e News24 Aurora Golemi, se të gjithë maturantët dhe mësuesit do të jenë pjesë e provimit pasi nuk ka asnjë raportim për maturantë apo mësues të infektuar me Covid-19.
Rreth 34 mije maturantë në të gjithë Shqipërinë do t’i nënshtrohen nesër në mëngjes, provimit të parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj të ndjekur përgjatë studimeve të shkollës së mesme (anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht).
Ekspertët e ngujuar në Qendrën e Shërbimit të Arsimit kanë hartuar tashmë përmbajtjen finale të testeve të kësaj lënde, ndërkohë që janë duke bërë organizimet e fundit në lidhje me përgatitjen e materialeve të provimeve që do të shpërndahen në çdo ambient testimi duke nisur që sot kryesisht për zonat më të largëta, për të vijuar me orët e para të mëngjesit të datës 3 qershor për shkollat më të afërta.
Maturantët që rezultojnë të infektuar me Covid-19 nuk do të mund të hyjnë në provime në këtë sezon. Për këta maturantë, autoritetet e QSHA-së bëjnë me dije se do të mund t’i japin provimet vetëm në sezonin e dytë që do të zhvillohet në vjeshtë.
Përmbajtja e testit të gjuhës së huaj është hartuar në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor që nxënësi ka ndjekur është trajtuar si gjuhë e huaj e parë dhe niveli i njohurive synohet të jetë B2 sipas “Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët”. Konkretisht, aftësitë gjuhësore që do të vlerësohen në test janë të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar pyetjet e të cilës do të zënë rreth 50 për qind të përmbajtjes së testit, pyetjet rreth përdorimit të drejtë të gjuhës (gramatikës dhe leksikut) që do të zënë rreth 28 për qind të përmbajtjes së testit, si dhe pyetjet rreth të shkruarit që do të përbëjnë 22 për qind të përmbajtjes së tezës së provimit.
Sa i takon zbatimit të rregullave të tjera, sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve maturanti duhet të paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara orarit zyrtar të përcaktuar për zhvillimin e testimit. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në 12:30. Gjatë plotësimit të testit duhet të përdorni stilolaps blu ose të zi. Duhet të mbushni me stilolaps për secilën pyetje rrethin që përfaqëson alternativën që e mendon të saktë.
Mbushja me stilolaps e rrethit duhet të bëhet vetëm sipas formatit të përcaktuar, në të kundërt skaneri nuk e njeh përgjigjen tuaj dhe mund të rrezikoni humbjen e pikëve. Kjo fletë nuk duhet të dëmtohet, e as të vihen shenja në tabelat e saj. Bashkangjitur shkrimit gjeni edhe formatin e duhur se kur plotësimi i përgjigjes konsiderohet i saktë.
Sa i takon skemës së vlerësimit bëhet e ditur se nëse për një pyetje keni mbushur dy rrathë përgjigja për këtë pyetje do të jetë e pavlefshme dhe do të vlerësohet me 0 pikë. Kur për një pyetje keni plotësuar alternativën e saktë në test, por nuk e keni shënuar në fletën e përgjigjeve, ajo pyetje sërish do të vlerësohet me 0 pikë. Po sipas skemës së përcaktuar në rregulloren e MASR, nëse për një pyetje nuk keni mbushur asnjë rreth, sërish do të vlerësoheni me 0 pikë. Nuk duhet të përdoret korrektor për ndryshimin e përgjigjeve, pasi këto pyetje do të jenë të palexueshme nga sistemi digjital.
Kujdes rrezikoni të përjashtoheni nga provimi i maturës nëse:
• Ndryshoni vendin që ju është caktuar.
• Merrni ose jepni informacione me kandidatët e tjerë rreth përmbajtjes së testit, kur bëni komente për zgjidhjen e pyetjeve
• Kur mbani telefon celular, radio apo mjete të tjera të komunikimit me vete.
• Kur refuzoni kontrollin gjatë hyrjes në qendrën e provimit, si dhe kur prishni qetësinë në mjedisin e provimit.
Maturantit nuk i njihet rezultati nëse:
• Përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit.
• Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.
• Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisionet përkatëse, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.