Dy persona janë vënë në pranga nga policia në Tiranë lidhur me rrëmbimin dhe dhunimin e një 32-vjeçari. Policia bën me dije se dy të arrestuarit së bashku me një person tjetër i cili është shpallur në kërkim kanë kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj 32-vjeçarit për përfitimin e një vlere monetare.
Policia ka sekuestuar 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme. Mësohet se rrëmbimi ka ndodhur më datë 31 mars dhe 32-vjeçari është mbajtur për disa orë në një ambient privat. Të arrestuari janë identifikuar si Hysen Neza dhe Kevin Neza.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hijet”. Morën me forcë një 32-vjeçar, e mbajtën në një ambient në Xhafzotaj, duke e kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për përfitimin e një vlere monetare, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohen 5 automjete, 5 celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në vijim të kallëzimit të bërë nga një 32-vjeçar, i cili deklaroi se më datë 31.03.2026, tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe e kishin mbajtur për disa orë në një ambient privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hijet”.
Në kuadër të operacionit: -u ndaluan shtetasit Hysen Neza 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç; -u shpall në kërkim shtetasi J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, kanë marrë me forcë në automjet 32-vjeçarin, e kanë kanosur dhe ushtruar dhunë ndaj tij, me qëllim përfitimin e një vlerë monetare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme’, njofton policia.



