Ka nisur këtë të mërkurë procesi rinumërimit të votave në qarkun e Tiranës, ku prezent ishte dhe kreu i Partisë “Mundësia“, Agron Shehaj. Shehaj tha se teksa janë hapur 25 kutitë e para diferencat e votave janë shumë të papërfillshme. Megjithatë ai denoncoi anëshmërinë e KAS në këtë proces rinumërimi, ku tha se merren pararasysh dhe miratohen vetëm kërkesat e bëra nga partitë e mëdha.
“Procesi sapo ka filluar, kanë gjetur diferenca shumë të vogla. Ne po monitorojmë votat tona, votat e partisë që pretendon të marrë vendin tonë. Ne e kemi bërë një kontroll paraprak, kemi kontrolluar filmimet e numërimit të parë që është bërë i cili ka dhe më shumë vlerë në fakt. Ne presim që mos të ketë asnjë ndryshim. Nuk besoj se do ketë ndryshim. Janë numëruar pothuajse 25 kuti“, tha Shehaj.
Më tej, ai shpjegon se si qëndrojnë të dhënat deri më tani nga procesi i rinumërimit. Shehaj vë në dukje se KAS merr vendime në favor të PD-së dhe PS-së pasi vetë komisioni është i përbërë nga anëtarë të këtyre dy partive. Kreu i “Mundësia“ denoncoi shtimin e votave të pavlefshme për partitë e mëdha.
“Votat e Partisë “Mundësia“ janë identike. Janë shtuar 4 vota Partisë Demokratike në këto 25 kuti. Janë shtuar sepse KAS ka rivlerësuar vota që ishin quajtur të pavlefshme. Të gjitha votat e pavlefshme që janë shtuar PS-së dhe PD-së, janë vota të cilat kanë një problem, dhe tani KAS merr vendim dhe thotë se nuk është problem, janë vota të vlefshme. KAS po vendos ti shtojë vota PS-së dhe PD-së.
Të gjitha votat çohen për rivlerësim tek KAS nga numëruesit dhe vendimet e KAS janë në favor të PS-dhe PD-së, është fakt. Nëse cënohet rezultati, ne jemi këtu, kemi vëzhgues dhe po kujdesemi që votat e partisë “Mundësia“ të mos preken, dhe votat për partitë e tjera të mos shtohen. Nëse ka tentativa për të rrëmbyer mandatin e partisë Mundësia, do ta denoncojmë“, tha Shehaj.