Tendat zëvendësuan ndërtesat shumëkatëshe në buzë të qytetit Beit Lahia të Rripit të Gazës, ku sulmet e shumta ajrore izraelite lanë dhjetëra familje të pastreha dhe në pritje të procesit të rindërtimit.
Kombet e Bashkuara apeluan këtë të enjte për ngritjen e një fondi prej 95 milionë dollarësh për t’i ardhur në ndihmë popullsisë palestineze në Gaza, për tre muajt e ardhshëm, pas 11 ditëve bombardimesh në konfliktin më të ashpër të viteve të fundit mes militantëve palestinezë dhe Izraelit.
Lin Hestings, koordinatori i OKB-së për territoret palestineze deklaroi se Kombet e Bashkuara po vlerësojnë dëmet e shkaktuara, nga ku më pas do të përcaktojnë fondet që nevojiten për të rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar nga bombardimet.
Autoritetet palestineze deklaruan se gjatë 11 ditëve të bombardimeve, 1500 rezidenca banimi u shkatërruan plotësisht, 1500 të tjera kanë nevojë për riparime, ndërsa 17.000 banesa morën dëmtime të pjesshme. Sipas ekspertëve, kostoja e rindërtimin shkon në 150 milionë dollarë.
Familjet e pastreha kanë vendosur tenda për të strehuar pranë rrënojave ku më parë ndodheshin shtëpitë e tyre. Deri më tani, Egjipti dhe Katari, të cilët ndërmjetësuan dhe armëpushimin me Izraelin kanë në premtuar të dhurojnë 500 milionë dollarë për rindërtimin e banesave.