Revoltat në Serbi, lëvizja studentore: Vuçiç po e dërgon vendin në luftë civile

Shumë media gjermane kanë raportuar për trazirat e fundit në Serbi. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në edicionin kryesor të lajmeve të shërbimit publik ARD. Raportime më të shkurtra mbi ngjarjet u publikuan gjithashtu nga shumë portale dhe gazeta.

Më poshtë janë fragmente nga disa artikuj karakteristikë mbi këto zhvillime:

Andrej Ivanji shkruan për Tagesspiegel, me qendër në Berlin:

“Nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit në Serbi kanë qenë kryesisht paqësore. Por të martën, përplasjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Presidentit Aleksandar Vuçiç u përshkallëzuan në qytete të vogla të Vojvodinës, si Vrbas dhe Baçka Palanka. Të mërkurën, studentët bënë thirrje për protesta nën sloganin Serbi, zgjohu!. Qytetarët në Beograd, Novi Sad, Nish, Krushevac, Smederevo, Uzhice, Çaçak, Pançevo dhe Lazarevac iu përgjigjën thirrjes. Trazira të rënda shpërthyen në disa qytete dhe, sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 70 persona u plagosën në ditën e dytë. Regjimi është në një kurs konfrontimi me studentët. Njësitë speciale të policisë luajnë vetëm një rol dytësor. Ato nuk kanë mjaftueshëm personel dhe, kur protestat zhvillohen njëkohësisht në disa qytete, zakonisht janë të mbingarkuara. Aktivistët dhe simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet u përplasën me qytetarët që protestonin kundër autokracisë së korruptuar dhe për sundimin e ligjit.”

Pasqyrohet gjithashtu pamja e ngjashme e simpatizantëve të Vuçiçit, të përshkruar si “me qafa të trasha, shpatulla të gjera, muskuj të theksuar, shpesh me tatuazhe, bluza dhe kapele të zeza, dhe shumë prej tyre të maskuar”.

Mediat kritike kanë identifikuar shumë prej tyre si persona me të dhëna të gjera kriminale.

Artikulli përmend shkurtimisht edhe shembjen në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar. Opozita beson se kjo tragjedi është pasojë e “korrupsionit endemik”, ndërsa qindra mijëra studentë kanë hyrë papritur në skenën politike, duke këmbëngulur për nëntë muaj në një “rezistencë të palodhur kundër regjimit të Vuçiçit”. “Rezistenca studentore është tani forca më e fuqishme politike në Serbi.”

Ivanji ofron gjithashtu një përmbledhje të shkurtër të përleshjeve dhe dhunës përpara zyrave të partisë SNS dhe në rrugët e Novi Sadit.

“Të mërkurën, Vuçiç u paraqit në selinë e partisë në Beograd gjatë protestave masive. Atje, ai inkurajoi anëtarët e SNS-së të përballeshin me demonstruesit.” Gazetari i njohur Milan Qulibrk e komentoi këtë veprim duke thënë se “Serbia nuk ka më president”, pasi Vuçiç, në mes të krizës, zgjodhi të dalë si udhëheqës i partisë dhe jo si kreu i shtetit ai e drejton partinë vetëm formalisht.

“Në vend që të shpallë zgjedhje të parakohshme, Vuçiç po e zhyt vendin në luftë civile,” shkruan lëvizja studentore në llogarinë e saj në Instagram, sipas Tagesspiegel.

Gazeta Rheinische Post publikoi një raport të shkurtër për zhvillimet “nga Novi Sadi deri në Nish”, nën titullin: Protestat antiqeveritare po përshkallëzohen në Serbi.

Gazetari Thomas Roser shkruan se Presidenti Aleksandar Vuçiç ka premtuar të “pastrojë rrugët nga huliganët” dhe ka deklaruar se nuk do të ketë mëshirë për ta.

“Në një vend të përçarë politikisht, që aspiron të anëtarësohet në BE, muaj të tërë protestash kundër korrupsionit janë përshkallëzuar. Vuçiç fajëson kundërshtarët e tij për përplasjet e dhunshme. Megjithatë, aktivistët studentorë, opozita dhe mediat e pavarura pretendojnë se trazirat janë orkestruar nga banditë të partisë në pushtet.”

Niklas Zimmermann, në Frankfurter Allgemeine Zeitung, përshkruan gjithashtu zhvillimet e tre ditëve të fundit në Serbi dhe mënyrën se si i shohin ato studentët dhe qeveria.

“Shkakun e valës së fundit të protestave nuk duhet ta kërkojmë te George Soros, siç pretendohet shpesh, por në provincën veriore të Serbisë. Në qytetin Vrbas thuhet se janë plagosur më shumë se 50 persona. (…) Përplasjet morën edhe një dimension ndërkombëtar, pasi njëra prej tyre ndodhi në Baçki Petrovac, ku shumica e popullsisë është sllovake. Aty, një grup mbështetësish të SNS-së shkatërroi një ekspozitë fotografike që mbështeste protestat e studentëve, gjatë një eventi vjetor sllovak.”

“Avokati i Popullit sllovak, Robert Dobrovodski, iu drejtua homologut të tij serb duke kërkuar hetim për veprimet e policisë, e cila akuzohet se nuk e ka parandaluar sulmin. Edhe udhëheqësi i opozitës sllovake, Michal Simecka, udhëtoi në Baçki Petrovac për të shprehur solidaritetin e tij. Kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili është politikisht i afërt me Vuçiçin, kishte deklaruar më parë se këto konflikte ishin çështje të brendshme të Serbisë. Opozita e kritikoi për mungesë kujdesi ndaj bashkatdhetarëve jashtë vendit,” përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Të Fundit