Reshjet intensive që kanë përfshirë Durrësin dhe pjesën më të madhe të vendit prej disa orësh kanë sjellë përmbytje në një sërë rrugësh, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Situata paraqitet problematike në rrugën “Taulantia”, në rrugën “Mars 91”, e njohur edhe si aksi paralel me portin, si dhe në zonën pranë stadiumit në lagjen
Probleme të ngjashme raportohen edhe në rrugën pranë shkollës “Qemal Mici” në lagjen 16, në zonën e Shkozetit dhe në disa pika të tjera të qytetit.
Këto zona janë të njohura për problematikat e përmbytjeve sa herë që reshjet shfaqen me intensitet të lartë, duke rikthyer shqetësimin e banorëve për infrastrukturën e kanalizimeve dhe kullimit të ujërave.
Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë sjellë problematika edhe në disa zona të qytetit të Lezhës. Më problematike paraqitet situata në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
Grumbullimi i ujit është pasojë e reshjeve intensive, ndërkohë që nuk raportohen dëme. Megjithatë, situata ka krijuar shqetësime për banorët dhe prindërit e nxënësve.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se kjo problematikë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare me përmbylljen e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili po zbatohet prej disa muajsh në qytetin e Lezhës dhe synon përmirësimin e menaxhimit të përmbytjeve në raste reshjesh intensive.




