Reshjet e dëborës kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të qyteteve në vend, por situata është më problematike në zonat rurale. Këtë të Hënë, është dashur ndërhyrja e ushtrisë për transportimin e një fëmije të sëmurë në spital, në fshatin Ostren të Bulqizës.
“Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore kanë përfunduar me sukses operacionin për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit të Bulqizës. Fëmija u transportua fillimisht me mjetin ushtarak të Batalionit të Tretë, ku më pas u krye kalimi në ambulancë për të vijuar drejt spitalit. Ky operacion është një shembull i përkushtimit dhe humanizmit të Forcave të Armatosura, të cilat qëndrojnë gjithmonë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente”, thuhet në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes.