Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave se një pjesë e madhe e qeverisë ka probleme me drejtësinë, në një nga komentet e “Sy m’sy”.
Nëse sot ka ish ministra, zyrtarë bashkie…në probleme të hapura me drejtësinë si erdhi kjo ditë. E solli zoti vetë, pa ndihmën tonë. E solli Amerika me aeroplan këtë ditë apo BE me anije? Se Amerika dhe BE aty kanë qenë që në 91. Ti jo vetëm që nuk ke parë kurrë në jetën tënde një ministër apo kryetar bashkie, individë të fortë të lidhur me pushtetin, qoftë kriminelë që të jenë nën goditjen e shpatës së drejtësisë por ke parë gjëra të kundërta me këtë, ke parë qeveri, kryeministra që vrasin njerëz’, tha kryeministri.
Ai ka kujtuar gjithashtu 21 janarin dhe Gërdecin, duke u shprehur se në të kaluarën Shqipëria ka përjetuar ngjarje të rënda nga drejtues të lartë të shtetit, pa u ndëshkuar ndonjëherë nga drejtësia.
“Këtu poshtë dritareve janë vrarë njerëz të pafajshëm, qytetarë që erdhën të protestojnë në dritaret e kësaj godine u bënë frëngji nga ku dolën pushkët e shtetit. Ke parë qeveri që hedhin në erë zona të banuara, vrasin, plagosin njerëz dhe shkatërrojnë prona. Jo në film, por në realitet në Tiranë dhe s’ju ka hyrë gjemb në këmbë. Ke pasur këtu në Tiranë presidentë që kanë hedhur Shqipërinë në erë, provokuar vrasjen e 4 mijë njerëzve duke nxitur popullin që të fusin lekët nëpër piramida.
S’po të çoj as kur vinim me armë dhe me ato murtajat që mbahen në krahë këtu përpara kryeministrisë për të marrë pushtetin, që sot duan të bëjnë Shqipërinë madhështore”, tha Rama.