Realizohet në Itali dërgesa e parë e porosive me dron, nga ‘Amazon’

Kompania “Amazon” e manjatit Jeff Bezos ka realizuar dërgesën e parë të porosive përmes dronit, realizuar në zonën e San Salvo, në rajonin italian të Abruzzo-s.

Dronët me pakot e Amazon fluturuan në qiellin italian për herë të parë më 4 dhjetor, me kompaninë që sqaron se ka kryer me sukses testin për dërgesat dhe po vazhdon bashkëpunimin me autoritetet për të plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme për nisjen e shërbimit vitin e ardhshëm.

Fluturimi testues u krye me dronin e ri MK-30. Kjo pajisje fluturuese ka një sistem shumë të automatizuar duke përdorur programin e vizionit kompjuterik të industrisë së Amazon. Kjo i lejon dronët të “lëvizin të sigurt larg pengesave”, duke garantuar sigurinë e njerëzve, kafshëve dhe pronave.

Bëhet fjalë për një dron që peshon pak më shumë se 36 kilogramë, i gatshëm të përshkojë një distancë totale prej 24 km, vajtje-ardhje dhe mund të dërgojë pako që peshojnë afërsisht 2 kg e gjysmë, peshë që përfshin 90% të artikujve të shitur nga Amazon.

Produkti i parë që u dorëzua gjatë testimit në Itali ishte një orë inteligjente Echo Spot e integruar me Alexa-n dhe mbërriti në destinacionin e saj në një shtëpi në afërsi të qendrës së shpërndarjes San Salvo.

Sipas Amazon një shërbim i tillë do të fillojë “vetëm pasi të jenë marrë të gjitha autorizimet e nevojshme”.

Projekti futuristik përfshin një punonjës që ngarkon pakot në dronin në zonën e ngritjes dhe uljes. Dronët pasi arrijnë në vendndodhjen e përzgjedhur nga klientët e lëshojnë pakon nga rreth 4 metra në ajër.

Të Fundit