Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkruar në një postim në Twitter se koha është ilaçi më i mirë dhe se ajo e ka rrëzuar malin me gënjeshtra të atij që do të mbajë peng Partinë Demokratike, duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha.
“Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale.
Që ti japim fund baltosjes, që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët. Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë”,-shkruan Basha.
Reagimi i tij vjen pas fjalës së ish-kryeministrit Berisha, i cili tha këtë të premte para mediave se me grupin tjetër të Partisë Demokratike mund të gjejnë një gjë gjuhë të përbashkët, por me Lulzim Bashën nuk do e gjejë kurrë pasi ai është peng i Ramës.
“ Unë shpresoj se me grupin tjetër, ne do gjejmë mirëkuptim të plotë. Sepse ata, siç e kam theksuar, kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe parimor ndaj primareve. Ky qëndrim është qëndrim ndaj një parimi themelor të PD. Me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranojë Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranojë pengun e tij.
Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar. Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”,-tha Berisha para gazetarëve.