Reagon Bardhi pas seancës: Diella nuk është vizion, por fasada virtuale e vjedhjeve

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas mbylljes së papritur të seancës plenare këtë të enjte, e cila zgjati vetëm 25 minuta, pavarësisht se ishte parashikuar të diskutohej programi i qeverisë.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Bardhi krahasoi situatën në Kuvend me veprën e njohur të George Orwell, “Ferma e Kafshëve”.

“Xhorxh Orwell na tregon se si në një fermë të shtypur, zgjedhjet nuk ishin më vota, por thjesht urdhra të derrave udhëheqës. Kjo që ndodhi sot në parlament ndodh çdo ditë në Shqipëri, njerëzit drejtohen me arbitraritet, me arrogancë, me padrejtësi,” shkruan Bardhi.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se kërkon një opozitë të heshtur, që të mos flasë për aferat e qeverisë:

“Edi Rama do një opozitë pa zë, dhe pa gojë. Edi Rama do një opozitë memece që të mos flasë për vjedhjet e tij monstruoze. Ky i sotmi është vizioni i tij për demokracinë: parlament pa debat, opozitë pa zë, qytetarë pa shpresë.”

Duke iu referuar projektit të fundit të qeverisë, “Diella”, Bardhi e cilësoi si një mjet propagandistik të pushtetit, që nuk ka lidhje me teknologjinë, por me mbulimin e korrupsionit.

“Diella nuk është vizion, por fasada virtuale për të fshehur vjedhjet e përditshme gjigande të kësaj qeverie. Edi Rama ka klonuar veten si grua, si një iluzion dixhital për të mbajtur pushtetin e korruptuar… Diella është propaganda e paketuar në 3D. Diella nuk është ministër kundër korrupsionit. Diella është shërbëtore e korrupsionit, në versionin virtual.”

Më tej, Bardhi shënjestron edhe figura të tjera të kabinetit, duke akuzuar për lidhje me oligarkë dhe krimin e organizuar:

“Është një Belinda Balluku që shet tenderat dhe pasuritë e vendit tek 2-3 kriminelë dhe klientë personalë, është një Linda Ramë që përcakton si fitues të qindra milionë eurove 2-3 kompani familjare me familjen dhe pushtetin e bashkëshortit të saj.”

Në fund të deklaratës, Bardhi lëshon edhe një mesazh për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke cituar shkrimtarin Aleksandër Solzhenicin:

“Ne e dimë që ata po gënjejnë. Ata e dinë që po gënjejnë. Ata e dinë që ne e dimë se po gënjejnë dhe përsëri vazhdojnë të gënjejnë.”

Ai thotë se në Shqipëri nuk ka një qeveri të dalë nga vota reale e shqiptarëve, por nga një proces i manipuluar, dhe shton se opozita nuk do të ndalet:

“Shqipëria meriton drejtësi, jo mashtrim. Dinjitet, jo poshtërim. Meriton Europën e vërtetë, jo kompromiset gjysmake të burokratëve… Ne do të jemi këtu, derisa të fitojë e vërteta dhe të humbasë korrupsioni me hajdutët e saj në qeveri.”

Të Fundit