Raporti: Vetëm 57 % e banorëve kanë mbulim me kanalizime, nevojë në rritje për impiante

Në vitin që lamë pas mbulimi me kanalizime në vend, si një tregues i matshëm tek ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve shënoi një rritje të lehtë por ende larg mesatares kombëtare të kërkuar.

Enti Rregullator i Ujit në raportin e performancës të publikuar kohëve të fundit për vitin 2024 nënvizon se mbulimi me kanalizime shënoi një rritje 2.2% krahasuar me vitin 2023.

“Popullsia në zonën e juridiksionit, për vitin 2024, për 17 shoqëritë UK, raportohet rreth 4,446,331 banorë, nga të cilët kanë akses në shërbimin e grumbullimit të ujërave të ndotura 2,535,858 banorë ose e shprehur në lidhje me KUN rreth 738,854 lidhje. Ky tregues ka një rritje të lehtë, pasi shërbimi me kanalizime raportohet të jetë shtuar me rreth 7,616 lidhje duke çuar mbulimin në 57% me këtë shërbim, megjithëse mbetet shumë larg nivelit 75% të mesatares kombëtare të kërkuar” thuhet në këtë raport.

Enti analizon se mbulimi i përgjithshëm me kanalizime është përmirësuar gradualisht dhe përmirësimi ka ardhur më shumë si efekt i rritjes së mbulimit me kanalizime në zonat urbane, ndërkohë që mbulimi me kanalizime në zonat rurale nuk ka pasur përmirësime të ndjeshme.

“Fondet për investime në sektor për shërbimin e kanalizimeve kanë qenë të pakta, gati sa një e treta e investimeve për shërbimin e ujësjellësit, pasi më shumë i është kushtuar vëmendje shërbimit të furnizimit me ujë, gjithashtu ky diferencim ka ekzistuar edhe midis zonave urbane dhe rurale, me prioritet zonat urbane. Prandaj dhe treguesi i mbulimit për të dyja shërbimet UK është më i lartë në zonat urbane.

Problemi kryesor vazhdon të mbetet zona rurale, në të cilën përgjithësisht nuk ka rrjet kanalizimesh dhe shkarkimet e ujërave të ndotura realizohen individualisht me gropa septike” thuhet në raport.

Si pjesë e shërbimit të kanalizimeve të ujërave të ndotura raporti sjell në vëmendje edhe nevojën për investime në Impiante të Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) .

Sipas Entit kjo mbetet sfidë për sektorin UK për t`u realizuar në të ardhmen duke pasur parasysh që është edhe një nga kërkesat që duhen plotësuar në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030, që të arrihet akses në kanalizime dhe higjienë adekuate dhe të barabartë për të gjithë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë nevojave të grave dhe vajzave dhe ata që janë në situata të cenueshme.

“Ndaj, është e nevojshme të ndërmerren investime për ndërtimin e infrastrukturës së grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane në shkallë vendi” vlerëson raporti./monitor.al

 

Të Fundit