Raporti për drogën: Shqipëria vend kryesor i origjinës së kanabisit, grupet kriminale ndihmohen nga korrupsioni

Një raport i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), që analizon me detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar se Shqipëria ishte vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Europën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.

Raporti thekson se deri më tani, shumica e veprimtarive kriminale kanë të bëjnë me prodhimin vendas të kanabisit, kryesisht marijuana, si dhe trafikun e drogës. Në këtë rast, Shqipëria vepron kryesisht si një vend transit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës Ballkanike, d.m.th., përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut në Itali dhe tregjeve të tjera në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia, në Europën Perëndimore dhe Qendrore.

Raporti thotë se pas operacionit të suksesshëm në Lazarat në vitin 2014 u vu re një kultivim masiv në gjithë vendin, veçanërisht në 2016. Si rrjedhojë, një vit më pas, në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit Në të kundërt, konfiskimet e kanabisit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018.

Raporti thekson se Shqipëria përmendet gjithnjë e më pak si vend transit i heroinës e cila ka origjinën në Afganistan, ndërsa është rritur rëndësia e Shqipërisë si një vend transit për kokainën e Amerikës Latine në Europën Perëndimore.

Sipas raportit, krimi i organizuar ndikohet dhe nga niveli i lartë i korrupsionit, ndërsa shprehet skeptik për ecurinë e procesit të vettngut. Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.

Këshilli i Europës deklaroi se niveli i provave të kërkuara për të vërtetuar krimin nuk është gjithmonë i qartë për praktikuesit në Shqipëri dhe procedurat e pastrimit të parave kryesisht pezullohen ose pushohen nga prokuroria.

Të Fundit