Shqipëria është renditur në vendin e 89-të në Indeksin e Lumturisë 2025, duke lënë pas vetëm Turqinë në Europë. Sipas Raportit Botëror të Lumturisë, vendi ynë penalizohet rëndë nga korrupsioni, mungesa e mbështetjes sociale dhe mungesa e solidaritetit, ndërsa ka një vlerësim më pozitiv për lirinë individuale dhe të ardhurat për frymë.
Në rajon, Kosova është më e lumtura (29), e ndjekur nga Serbia (31), Bosnja (56), Mali i Zi (71) dhe Maqedonia e Veriut (86). Shqipëria mbetet prapa, duke reflektuar një realitet ku shoqëria ndjehet e pashpresë.
Pse shqiptarët janë të palumtur?
Ndër faktorët kryesore renditet e para kultura e korrupsionit, fenomenit që gërryen shoqërinë duek bërë që qeveria dhe shteti të perceptohet si i kapur. Një tjetër kriter në studim është mungesa e mbështetjes sociale (vendi i 111) dhe kjo bën që shqiptarët të ndjehen të vetmuar, me pak besim tek institucionet dhe tek njëri-tjetri. Tipare të tjera të shoqërisë tonë janë mungesa e solidaritetit dhe pasiguria ekonomike, pasi standardi i jetesës mbetet i ulët.
Ndër vendet me cilësi më të mirë të jetesës janë ato nordike si Finlanda, Danimarka dhe Suedia që kryesojnë për shkak të besimit social dhe shtetit të fortë të mirëqenies.