Rama uron Vitin e Ri 2026: Kjo Shqipëri tjetër, nuk ka asnjë lidhje me kohën kur ishim të shpërfillurit e damkosur të Europës

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë mesazhin e tij të Vitit të Ri 2026, duke vënë theksin te arritjet e dekadës së fundit, integrimi europian, transformimi i infrastrukturës dhe zhvillimi ekonomik e digjital i vendit.

Në fjalën drejtuar qytetarëve, Rama u shpreh se viti që po mbyllet e gjen Shqipërinë “më lart se në ditën kur hyri”, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen elektorale dhe 83 mandatet e dhëna qeverisë.

“Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush i dha qeverisë sonë fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve,” -u shpreh Rama.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua qeverisjes digjitale dhe platformës e-Albania.

“Shqipëria ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale.”-vijoi Rama.

Sipas Ramës, e-Albania u ka kursyer qytetarëve “620 milionë euro dhe 7 500 vjet radhë nëpër sportele”.

Kryeministri përmendi gjithashtu sigurinë kibernetike, energjinë dhe sovranitetin energjetik, duke theksuar se vendi synon të mos importojë më energji brenda këtij mandati.

“Do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.”-tha Rama.

Në planin europian, Rama deklaroi se Shqipëria e mbyll vitin si pararendëse e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ky vit mbyllet për Shqipërinë me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e front-runner të integrimit.”-vijoi Rama.

Në përmbyllje, Kryeministri u shpreh optimist për të ardhmen dhe uroi qytetarët për Vitin e Ri.

“Kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush… Gëzuar, kudo ku jeni, me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.”-tha Rama.

Të Fundit