Kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetet sociale nisjen e procesit të çlirimit të segmenteve rrugore nga bizneset që kanë vendosur objekte të paligjshme pranë rrugës.
Sipas Ramës, bizneset që kanë materiale ose objekte të vendosura pa leje më pak se 20 metra larg nga aksi i rrugës, që përkon me distancën ligjore të sigurisë, kanë afat deri më 31 korrik të largojnë vetë çdo lloj materiali.
“Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH”, shkruan Rama.
Kryeministri paralajmëroi se pas këtij afati do të ndërmerren masa të rënda ndëshkimore, sipas ligjit në fuqi, ndaj subjekteve që nuk përmbushin detyrimin.
“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi”. paralajmëron ai.
Gjithashtu, Rama njoftoi se edhe gardhet duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
“Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan kryeministri.