Kryeministri Edi Rama iu drejtua sërish të mërkurën naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit duke u kërkuar që ata “të dalin nga greva e urisë”.
Përmes një postimi në Twitter, kryeministri tha se “ata duhet të dalin nga greva që të bisedohet për zgjidhjen”.
Sipas Ramës “hallin e naftëtarëve nuk e ka shkaktuar qeveria” dhe se ajo “nuk ka shkop magjik”, por vetëm “vullnetin për t’ua lehtësuar situatën”.
Ky është apeli i dytë i kryeministrit në Twitter ndaj naftëtarëve pas atij të bërë të hënën ku sërish qe shprehur “i gatshëm për të biseduar me ta”.
Opozita e ka akuzuar qeverinë se ajo është shkaktare për situatën e krijuar me naftëtarët, të cilët kanë 16 paga pa marrë, ndërkohë që rafineria e Ballshit nuk punon prej muajsh pasi kompanitë që e administronin kanë mbyllur aktivitetin pas deklarimit në humbje.