Kryeministri Edi Rama iu përgjigj qytetarëve në një video live në rubrikën e tij “Sy më Sy” në Facebook, ku diskutoi për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike.
I pyetur pse ky aksion po ndodh pikërisht gjatë sezonit turistik, Rama e cilësoi si të pavlerë këtë shqetësim, duke e quajtur “teori kot”.
“Teoria e turistëve është teori kot që nuk ka asnjë lloj vlere. Kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim? Jemi në kushte të një mobilizimi,” deklaroi Rama, duke theksuar se qëllimi është rikthimi i hapësirave për komunitetin.
Kreu i qeverisë theksoi se aksioni nuk synon të godasë bizneset, por të vendosë një ekuilibër të qëndrueshëm mes interesit publik dhe atij privat.
“Nuk do shkojmë në ekstreme të kësaj natyre. Do të arrijmë hap pas hapi të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë, ku 70% e trotuarit do të jetë i lirë për këmbësorët dhe 30% për bizneset. Është e natyrshme që të shërbehet jashtë, por është e shëmtuar që këto shërbime të kthehen në zaptime që krijojnë presion për komunitetin,” shtoi Rama.