Rama: Të hënën në Bruksel për hapjen e një grupi të ri kapitujsh me BE

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një statusi në Facebook se të hënën do të udhëtojë drejt Brukselit për hapjen e një grupi të ri kapitujsh në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Ramës, ky takim zhvillohet në kuadër të Konferencës së Katërt të Negociatave me BE-në. Ai theksoi se negociatat synohet të përfundojnë në vitin 2027, duke e bërë Shqipërinë të gatshme për anëtarësim pas kësaj periudhe.

Në postimin e tij, Rama nuk kurseu ironitë ndaj opozitës, duke shkruar:

“Po si thanë? S’ka më hapje kapitujsh ëëë?! U alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?! Madje mua s’më dhanë as darkë se u solla keq ëëë?!”

Më tej, ai shtoi:

“Ëh ëh ëh… Të hënën në BE për Konferencën e Katërt të negociatave dhe një seri tjetër kapitujsh që hapen.

Këto janë negociatat më intensive në historinë e integrimit dhe kur mendon që Mali i Zi negocion që nga 2012, ndërsa në që vjet dhe kur mendon edhe që kalendari ynë është vetëm 3 vjet, pra i mbyllim në 2027 e jemi gati për të hyrë në BE, atëherë s’ke si mos u thuash honxhobonxhove të kënetës politike e mediatike dhis is ëë mirrakëll of fridom.

God blles Allbenia🇦🇱🖐️🇪🇺God blles Jurop”, shkruan Rama.

Kujtojmë që ky reagim i Ramës vjen pas deklaratave të djeshme të Berishës i cili tha se mbledhja e së mërkurës në Parlamentin Europian tregon mbështetjen që opozita ka në Bruksel.

“Pasaporta evropiane e Edi Ramës u gris. Mashtrimi i tij me pasaportën evropiane mori fund”, deklaroi kreu i PD-së të enjten.

Të enjten në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian ku u zhvillua një seancë dëgjimore për situatën në Shqipëri në prag të betejës elektorale të 11 majit.

Të Fundit