Kryeministri Edi Rama, ka folur në Kuvend, gjatë mocionit me debat që po zhvillohet për çështjen “McGonigal”.
Rama është tallur edhe me opozitën, duke deklaruar se gjatë të gjithë zgjedhjeve në nëntë vitet e fundit është “rrëzuar” nga pushteti dhe se në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë politike të opozitës do mund të fitojnë edhe Uashingtonin.
“Po të doni mos u shkulni më kurrë nga udhëkryqet e revolucioneve tuaja imagjinare për të vulosur largimin tim, por mua s’do më keni më palë. Në këtë vallen e pambarimtë të shpatave tuaja, një neveri kombëtare ku pa e dëshiruar dhe as kuptuar jam kthyer në pjesë të pandarë të saj.
Ju jeni në rregull. Keni hyrë në vitin e dhjetë të rrugës ku më keni rrëzuar disa herë çdo vit, më keni tërhequr zvarrë çdo dy vjet, më keni detyruar të arratisem një vit po dhe një vit jo, keni mbledhur 100 mijë deri në 200 mijë njerëz në bulevard 120 herë duke më detyruar të fshihem në malin e Dajtit 60 herë dhe 60 herë të tjera mos të di as ku të fshihem dhe që t’i themi të gjitha siç janë më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve të fundit dhe jam i vetëdijshëm se ky vit i dhjetë do të jetë viti i fitores suaj më të madhe elektorale të kësaj dekade,” – ironizoi Rama.
Rama mohoi akuzat ndaj tij për lidhje me McGonigal dhe tentativën për të goditur opozitën, duke deklaruar se nuk ka patur informacion për financimet ruse. Ai shtoi se është takuar me ish agjentin e FBI-së, për të folur për “rrezikun rus”, takime të cilat McGonigal i ka fshehur nga FBI duke mos i deklaruar.