Rama rikthen takimet me Diasporën: Të shtunën në New York, më 3 nëntor në Selanik

Turin e ndërprerë në maj të këtij viti me diasporën, kryeministri Rama e rikthen sërish. Këtë të enjten, kreu i qeverisë udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku të shtunën, në orën 11:00 me orën lokale, do të takohet me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në New York.

Pas takimit me diasporën atje, Rama do të kthehet sërish në Tiranë, ndërsa turin do ta vijojë fundjavën e ardhshme, ku do të udhëtojë drejt Selanikut në Greqi. Të dielën, më 3 nëntor, do të takohet me shqiptarët në Selanik. Ky është takimi i dytë që Rama do të zhvillojë në Greqi, pas atij të 12 majit në Athinë.

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, emigrantët do të kenë mundësi të votojnë. Për këtë, një ditë më parë, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor miratoi me pesë vota pro rregulloren që i hap rrugën regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve.

Sipas rregullores së miratuar, çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë dhe që kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit, të paktën 68 ditë para datës së votimeve. Sipas KQZ-së, zgjedhësit do të duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyre, e cila është e aksesueshme dhe pa pagesë.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë do të llogaritet në qarkun ku ata kanë jetuar para se të largohej nga Shqipëria.

Të Fundit