Rama reagon për kritikat ndaj Kodit të Ri Penal: Të alarmuarit të mos ekspozohen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “X” në lidhje me debatet që kanë lindur rreth draftit të ri të Kodit Penal, duke i konsideruar të ekzagjeruara reagimet për kufizimin e lirisë së fjalës apo të mediave.

Në një status të postuar këtë të hënë, Rama ka ironizuar zërat kritik duke i thënë “se mos të ekspozohen shumë në diell”.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell.”-shkruan Rama.

Ai theksoi se drafti është ende në fazë konsultimi publik.

“Drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.”-vijon Rama.

Sipas Ramës, shqetësimi më i madh për lirinë në vend nuk qëndron tek një draft ligji, por tek sjellja e një pjese të shoqërisë që, sipas tij, keqpërdor lirinë.

“Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.”-shkruan Rama.

Të Fundit