Rama reagon për 8 mars: Uroj që angazhimi i grave shqiptare të forcohet

Rama uron 8 marsin: Sot kemi më shumë gra që udhëheqin e drejtojnë

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjitha gratë shqiptare me rastin e 8 marsit. Gjatë podkastit të tij “Flasim”, ai i nisi shënimet e javës duke u shprehur se kjo ditë është e rëndësishme për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për të gjitha gratë dhe vajzat që kemi rreth nesh. Ai theksoi se ato kanë një rol të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në familje dhe shoqëri.

“Jam shumë krenar të them se sot kemi gjithnjë e më shumë gra që udhëheqin, që drejtojnë, ndërtojnë, krijojnë dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë. Ato janë në parlament, ato janë qeveri, ato janë në të gjithë zinxhirin e institucioneve, ato janë në sipërmarrje, ato janë në shkolla, në universitete, ato janë në teatro, në hapësirat e jetës artistike, ato janë në sport, ato janë kudo. Kudo një vlerë e shtuar, kudo një forcë e pazëvendësueshme. Dhe nuk mjafton të shohësh realitetin e sotëm të vendit për të kuptuar se energjia dhe roli i grave në jetën publike dhe shoqërore, që ka qenë një rol i adresuar, i mbështetur, i promovuar në mënyrë të posaçme në këtë dekadë të qeverisjes sonë, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm”, tha Rama.

Në fund të urimit të tij, ai tha se shpreson që angazhimi i tyre të rritet edhe më shumë në shoqëri.

Të Fundit