Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X, disa orë pasi Kuvendi miratoi me 85 vota pro reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Në reagimin e tij, Rama e cilësoi votimin si një tjetër shtysë për modernizimin e vendit, ndërsa theksoi se rezultati tregoi se nuk duhet nënvlerësuar Partia Socialiste.
“Përtej të gjitha debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe vështirësive të një kohe të turbulluar nga duar të pista të të gjitha llojeve, disa të dukshme e disa të padukshme, por që nuk janë më të pazbuluara, votimi i mbrëmshëm në Parlament i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese.
Nga ana tjetër, ai u tregoi edhe një herë të gjithë atyre që duhej ta kuptonin se nuk duhet t’i numërojnë pulat para se të çelin vezët, kur bëhet fjalë për Partinë Socialiste”, shkruan Rama.



