Rama: Qeveria amerikane ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë

“Rama veç në Arabi ka mbetë, pse nuk bën biznese në Evropë e Amerikë?”

“Ta kthej unë përgjigjen vëlla: Sepse nuk duan, nuk kanë interes.”

Kanë qenë këto 2 komentet e qytetarëve në rrjetin e tij social në “Facebook”, të cilëve Kryeministri Rama ka zgjedhur të ju përgjigjet në rubrikën “Sy m’Sy”.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka hedhur poshtë këto aludime duke thënë se investitorët e huaj që vijnë kryesisht nga Evropa dhe Amerika bëjnë investime me vlerë mbi 1 miliardë Euro gjatë 1 viti në Shqipëri.

Më tej, Kryeministri Rama ka dhënë lajmin se para pak ditësh qeveria amerikane ka njoftuar se ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë.

“Sa u ktheva dhe po lexoja komentet tuaja, “Rama ka mbetur vetëm me arabë, pse nuk bën biznes në Evropë dhe Amerikë”, komenton Simoni, “Ta kthej unë përgjigjen”, i thotë Fatosi, “se nuk duan vëlla, nuk kanë interes”. Tani nuk e di se për kë e ka që nuk ka interes për ne apo Evropën dhe Amerikën, siç pyet Simoni, por për këdo që ta ketë, nuk ka diçka më larg të vërtetës duke filluar që nga marrëveshja e sotme, ku isha mes arabëve dhe italianëve dhe Italia është në Evropë. Tani, e dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në 1 vit? Investime të reja, mbi 1 miliardë Euro. Dhe e dini se nga vijnë? Nga Evropa, Amerika, shumica dërrmuese. Po ne qeveria sa e sa projekte bëjmë ne me financime të huaja? Thuajse të gjitha vijnë nga Evropa dhe para pak ditësh, qeveria amerikane, na njoftoi se e ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë që janë fondet e qeverisë amerikane. Kjo është e vërteta”, shprehet Kryeministri Rama.

Të Fundit