Rama: PS-ja, në momentin e duhur për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të premte nga Durrësi, se Partia Socialiste ndodhet në momentin dhe kohën e duhur për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë një takimi në Durrës, ai theksoi se vota e 11 majit në favor të PS-së do të jetë një sinjal i qartë për BE-në se shqiptarët duan integrimin dhe jo lëkundjet politike.

“Çështja nuk është nëse do të fitojmë, por sa i thellë do të jetë rezultati, për t’i treguar BE-së se Shqipëria është e vendosur për anëtarësim,” u shpreh Rama.

Kryeministri ndaloi edhe te reforma në drejtësi, duke deklaruar se socialistët duhet të ndihen krenarë për ndryshimet e ndërmarra. Ai theksoi se pa Partinë Socialiste, nuk do të ishte e mundur që drejtësia të vepronte ndaj individëve që më parë ishin të paprekshëm.

“Nuk na vjen mirë kur shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh dhe sot ndodhet në duart e drejtësisë, por kjo është pjesë e procesit. Dikur, në këtë vend, njerëz u vranë mes bulevardit dhe askush nuk u mbajt përgjegjës. Sot kemi një drejtësi që funksionon dhe këtë e kemi bërë ne. Ata që premtojnë të shkrijnë SPAK-un, janë kundër reformës,” tha Rama.

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Partinë Socialiste për të garantuar vijimin e reformave dhe rrugën drejt integrimit europian.

Të Fundit