Rama: Protesta, turp kombëtar! Keqardhje për ata që i sjellin nga të katër anët me autobusë

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sërish sot një “turp kombëtar” protestën e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve të naftës dhe ushqimeve.

Gjatë një takimi me pensionistët, Rama tha se qeveria e tij ka qenë më e vëmendshmja ndaj protestave të mëhershme dhe ka ditur të kërkojë ndjesë në rastin e tarifës së Rrugës së Kombit. Ndër të tjera, kreu i qeverisë foli për protestues që janë sjellë nga të katërt anët e Shqipërisë me autobusë.

Kjo qeveri është krejt e kundërta e asaj shëmbëlltyre që përpiqen të karikaturojnë me propagandën e shëmtuar ata që u rrokanisin kokën juve dhe ca të tjerë që me turmat e të parëve dalin atje dhe e bëjnë Shqipërinë, të vetmin vend në NATO dhe botën demokratike, që për turp proteston që në ditët e para të luftës për pasojat e luftës në çmime. Shkruante Fatos Tarifa një letër të hapur dhe më qortonte mua për mungesë durimi dhe arrogance ndaj tyre. Unë e përsëris ajo protestë është një turp kombëtar. S’ka pasur Shqipëria qeveri më të vëmendshme ndaj protestave këto 8 viteve e kusur. Në këtë vend ku haje edhe plumbin ballin po të protestoje. Qysh me protestën për armët kimike, me atë për tarifën e Rrugë së Kombit dhe me protestën e studentëve, janë domethënëse kur qeveria ka reaguar. Në një rast si në Kukës kam kërkuar edhe ndjesë, sepse ne ishim ne gabim. Kjo protestë është turp i pashoq i atyre që e nxisin. Keqardhje për ata që i sjellin nga të katërt anët e Shqipërisë me autobusa. Kush i paguan lekët e naftës për autobusët. I paguajnë ata me dy gishta!

Të Fundit