Rama prezanton planin: Depozitat do hiqen, burim katastrofash

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot projektin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, një nismë që siç thekson kryeministri, synon transformimin e plotë të sektorit të furnizimit me ujë në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama vuri theksin te nevoja për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet, të cilat, sipas tij, jo vetëm që përfaqësojnë një rrezik për sigurinë e banesave, por edhe pengojnë një sistem modern furnizimi.

“Do vijojmë punën me planin e heqjes së depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate që mund të bëhet dhe burim katastrofash. Njerëzit duhet ta kuptojnë që heqja e depozitave përmirëson furnizimin, kjo është panorama.

Kemi shumë pika të kuqe për t’i kthyer në pika jeshile sa i përket investimit dhe përfshirjes të çdo sektori në botën e re të teknologjisë, edhe tek uji është e njëjta gjë”, tha ai.

Rama më tej nënvizoi se reformimi i sistemit të ujësjellësit është thelbësor për të përmbushur objektivat e përafrimit me standardet e Bashkimit Europian deri në vitin 2030, dhe se kjo kërkon masa konkrete.

“Hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030 një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standardeve të BE-së. Është e mundshme por kërkon reformë, masa dhe përgjegjshmëri në adiministrim.

Kemi burime njerëzore cilësore, njerëz të aftë në qendër që do krijojnë bërthamën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të Operatorit Kombëtar të Prodhimit të Ujit, dhe më pas të shpërndarjes dhe funizimit”, tha Rama.

Të Fundit