Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë lajmin në një postim në rrjetet sociale, duke e cilësuar presidentin e Emirateve si një mik të vjetër dhe të çmuar të Shqipërisë.
“MIRËMËNGJES dhe me mbërritjen mbrëmë në Shqipëri të një miku të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi mes dy liderëve u zhvillua fillimisht në aeroportin “Nënë Tereza” dhe më pas në ambientet e Kryeministrisë.
Në një reagim të tij në rrjetet sociale, Presidenti Bin Zayed theksoi se gjatë vizitës janë diskutuar çështje me rëndësi për rajonin dhe më gjerë, si dhe janë shqyrtuar mënyrat për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë për të diskutuar mënyrat për të përforcuar më tej partneritetin në zgjerim të vendeve tona. Gjithashtu shkëmbyem pikëpamje mbi një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare dhe riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur përpjekjet për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në dobi të të gjithëve”, shkroi presidenti i Emirateve.
Vizita e Presidentit të Emirateve në Shqipëri vjen në një moment të intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushat e investimeve strategjike dhe bashkëpunimit ekonomik.