Rama: Përse nuk reagojnë gjyqtarët për ata që shajnë me libër shtëpie?

Kryeministri Edi Rama pak minuta më parë ka dalë me një reagim ndaj deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve. Rama në reagimin e tij thekson se Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar për tu ankuar për “presionin” që po bën ai ndaj Kushtetueses.

Rama shton se prej 10 vitesh po lufton për gjyqtarët për pavarësinë e drejtësisë e cila u arrit pas Reformës në drejtësi. Ai shkruan se Shoqata e Gjyqtarëve gabon nesë presin që ai të mos japë opinionin e tij teksa theksoi se është i hapur me shoqatën për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re.

“Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu: Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia”, shkruan Rama.

Të Fundit