Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për revistën franceze “Le Point”, ka deklaruar se Shqipëria mbështet qëndrimin e SHBA-së ndaj Iranit, duke theksuar se Tirana nuk ka marrëdhënie diplomatike me Teheranin pas sulmit kibernetik të vitit 2022.
Rama u shpreh se Shqipëria ka një përvojë të veçantë me regjimin iranian, duke përmendur edhe strehimin e rreth 3 mijë anëtarëve të opozitës iraniane MEK në vend.
Ai theksoi se Shqipëria nuk i frikësohet kërcënimeve, duke rikujtuar edhe traditën e vendit për të strehuar njerëz në nevojë, si hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe afganët pas vitit 2021.
Kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se vendi mbetet i palëkundur në orientimin pro-amerikan dhe pro-evropian, ndërsa mbështet dialogun ndërkombëtar, por përjashton regjimet që i konsideron terroriste.
“Duhet të flasim me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve në Iran”, deklaroi Rama.
Ai foli edhe për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe hodhi poshtë pretendimet për korrupsion dhe pastrim parash në Durrës, duke i cilësuar si të pabazuara.
Intervista e plotë:
Në luftën mes koalicionit SHBA-Izrael dhe Iranit, ndërsa shumica e kryeqyteteve evropiane kërkojnë ulje tensionesh, pse ju mbështesni vijën e ashpër të Uashingtonit?
Nuk kam zgjedhur një pozicion rrënjësisht ndryshe nga vendet e tjera evropiane, por Shqipëria ka një histori të veçantë të afërt me regjimin vrastar në Teheran. Sot, Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin.
Ju ishit objekt i një sulmi kibernetik iranian në 2022…
Po. Sulmuesit i përkisnin një grupi të renditur ndër 10 më të rrezikshmit në botë për kiberterrorizëm. Pas atij sulmi, vendosëm të ndërpresim çdo marrëdhënie me Iranin. Ky agresion ndodhi sepse ne strehojmë një grup opozitar iranian.
Strehoni rreth 3 mijë anëtarë të MEK. Irani e ka quajtur këtë bazë objektiv legjitim. A keni frikë?
Mos pyet kurrë një shqiptar nëse ka frikë. Ne nuk kemi frikë nga asgjë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, askush nuk i donte hebrenjtë. Ky vend, ndonëse i varfër dhe kryesisht mysliman, u bë strehë për ta. Shqipëria hyri në histori si i vetmi vend evropian që e përfundoi luftën me më shumë hebrenj se në fillim.
A ju kërkoi SHBA t’i prisnit ata?
Po, dhe ne thamë po. Por strehuam edhe mbi 4 mijë afganë pas vitit 2021, kur të tjerët ua kthyen shpinën. Në Shqipëri kemi një kod të vjetër: “Zoti dhe miku”. Nëse je mik, ne të mbrojmë.
Keni frikë nga kërcënimet e Iranit?
Ne jemi vend anëtar i NATO-s. Sulmi ndaj një vendi të NATO-s nuk është i thjeshtë. Jemi të mbrojtur.
A rrezikon kjo afrim me SHBA të tërheqë Shqipërinë në përshkallëzim?
Jo. Nuk ka një qëndrim unik evropian. Dhe bëhet fjalë për një vend që ka shpallur armiqësi ndaj nesh, jo anasjelltas. Shqipëria ka përvojën e saj me diktaturën.
Macron thotë se ndryshimi i regjimit nuk vjen me bomba. Jeni në linjë tjetër nga BE?
Nuk ka një linjë të vetme të BE-së. Nuk po flas për ndryshim regjimi, por për ta bërë këtë regjim të paaftë për të sulmuar fqinjët.
A po vepron me efektivitet koalicioni SHBA-Izrael?
Absolutisht.
A mund të shihet Shqipëria si “dele e zezë” mes vendeve kandidate të BE-së?
Shqipëria nuk është në Parlamentin Evropian. Dhe sërish, nuk ka një qëndrim të unifikuar të BE-së.
A do të blejë Shqipëria sisteme mbrojtëse evropiane?
Do të blejmë evropiane, izraelite dhe amerikane – çfarëdo që është e nevojshme.
Po projekti i ishullit të Sazanit i lidhur me Jared Kushner?
Nuk po privatizojmë ishullin. Shteti shqiptar do të jetë partner në këtë projekt.
Marrëdhëniet tuaja me Jared Kushner?
E kam pritur si mik amerikan. Personalisht, më duken ai dhe Ivanka njerëz të jashtëzakonshëm – të thjeshtë dhe modestë.
Morët pjesë në Këshillin e Paqes të Donald Trump. Pse?
Shqipëria nuk ka marrëdhënie me Rusinë. Por më shqetëson që Evropa nuk ka ruajtur dialog diplomatik gjatë luftës në Ukrainë.
E keni quajtur OKB-në “gjigant në agoni”…
Po, dhe shpresoj që kjo të nxisë reforma. OKB duhet të rishpikë veten.
A e bën kjo Shqipërinë një “kalë Troje” të SHBA në Evropë?
Nuk besoj. Evropa mbetet vend ku zgjedhjet janë të lira.
Duhet Evropa të flasë me të gjithë?
Evropa gjithmonë ka ditur të flasë me të gjithë – duhet ta rifitojë këtë aftësi.
Pra ideja juaj është dialog me të gjithë?
Me të gjithë, përveç terroristëve si regjimi i mullahëve në Iran.
A do të pranonit kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga Franca?
Gjithmonë. Është shtëpia e tyre.
Pse duhet BE të pranojë Shqipërinë?
Evropa duhet të përfundojë projektin e etërve themelues. Shqipëria mund të jetë e vogël, por është pjesë e ekuilibrit thelbësor evropian.
Po shqetësimet për korrupsionin?
Këto pretendime pa burime janë pjesë e problemit global sot. Durrësi nuk është një qendër e madhe pastrimi parash. Probleme ka kudo, jo vetëm këtu.



